Blog Details

Arti, midis Ëndrrës dhe Realitetit

Posted by
Category: 

“Arti, midis ëndrrës dhe realitetit” – edicioni i parë i Festivalit të Artit Bashkëkohor në Kukël, Shkodër, ishte shumë më tepër se një ngjarje kulturore. Ishte një akt dashurie për kujtesën, një përqafim për trashëgiminë dhe një shpërthim frymëzimi në një vend plot histori – Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, aty ku poezia e Mjedës nuk lexohet, por ndihet në ajër. Në këto dy netë, nata nuk ra kurrë plotësisht. Hapësirat e jashtme dhe të brendshme të qendrës u mbushën me dritë, imazhe, tinguj dhe zëra – një ekspozitë që jetonte, lëvizte dhe fliste përmes instalacioneve, performancave, pikturës, fotografisë, video-artit, filmave dhe tingujve. Fëmijë, të rinj, artistë, studiues, banorë të zonës dhe vizitorë nga Tirana, Lezha dhe Shkodra – plot 200 pjesëmarrës – ndanë së bashku një përvojë që i kapërceu kufijtë e një festivali tradicional. Ky ishte një takim i rrallë me artin që nuk qëndron në distancë, por të fton të afrohesh, të mendosh dhe të ndjesh.

Ky edicion i parë u frymëzua nga poezia dhe vizioni i Ndre Mjedës dhe shtriu pyetje të rëndësishme:

Çfarë roli ka arti në kohët e sotme?

Si mund të jetë ai një formë poetike rezistence?

Si ndërtohet kujtesa kolektive përmes veprës artistike?

Ekspozita përfshiu një shumëllojshmëri praktikash dhe mediumesh si pikturë, vizatim, skica, fotografi, videoart, instalacione zanore dhe performancë. Këto mediume komunikojnë në një hapësirë të përbashkët rrëfimi, duke krijuar një peizazh të ndjeshëm që reflekton tensionet, dëshirat, shpresat dhe dilemat e epokës sonë. Një pikë kyçe mbetet ndërlidhja e poezisë mjediane me imazhin bashkëkohor. Ky raport ndërmjet fjalës dhe formës vizuale u bë një instrument kritik, i aftë të shtrojë pyetje mbi rolin e artit në ditët e sotme.

Ky festival u organizua nga Art Kontakt, në bashkëpunim me EDS Foundation, H2H Foundation, Heinrich Böll Stiftung Tirana dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Be the first to comment