H2H Foundation ka kënaqësinë të njoftojë nisjen e zbatimit të projektit “Hands to Habitat – Civil Society Action for Clean Rivers”, një iniciativë mjedisore që synon të kontribojë në mbrojtjen e ekosistemeve ujore dhe reduktimin e ndotjes plastike në lumenjtë dhe zonat bregdetare të Shqipërisë.
Në një kohë kur ndotja nga plastika po përbën një nga sfidat më serioze për mjedisin dhe shëndetin publik, ky projekt synon të fuqizojë rolin e komuniteteve lokale, të rinjve dhe organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme mjedisore.
Projekti “H2H – Hands to Habitat” do të fokusohet në disa drejtime kryesore:
- ♻️ Rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi ndikimin e ndotjes plastike
- 🌊 Monitorimin shkencor dhe sezonal të mbetjeve në brigjet lumore dhe zonat bregdetare, përmes mbledhjes së të dhënave reale në terren;
- 🤝 Përfshirjen aktive të komuniteteve lokale, të rinjve, shkollave dhe organizatave partnere në aktivitete pastrimi dhe edukimi mjedisor;
- 📊 Mbështetjen e politikave mjedisore të bazuara në evidencë, duke kontribuar me të dhëna dhe rekomandime konkrete për institucionet dhe aktorët relevantë.
Gjatë zbatimit të projektit do të organizohen aktivitete pastrimi në terren, monitorime periodike, takime komunitare dhe fushata ndërgjegjësimi, me synimin për të nxitur përgjegjësi qytetare dhe angazhim afatgjatë për mbrojtjen e burimeve ujore.
Përmes kësaj nisme, H2H Foundation synon të ndërtojë ura bashkëpunimi mes qytetarëve, institucioneve dhe organizatave mjedisore, duke promovuar një qasje të përbashkët për një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
Ky projekt zhvillohet në kuadër të iniciativës RIVERCLEAN, nga ETMI dhe Milieukontakt Albania, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

