H2H Foundation / Projekte / ACTIVE WATER

Vendndodhja: Tiranë, Shqipëri

Statusi: Përfunduar

Qëllimi: Monitorimi i cilësisë së ujit që përdoren për ujitje në tokat bujqësore dhe nxitja e diskutimit ndërmjet aktorëve, përdorues apo menaxhues të burimeve ujore.

Objektivat:

  • Monitorimi i cilësisë së ujit në burimet ujore që përdoren për ujitje, si lumenjtë dhe rezervuarët artificialë.
  • Krijimi i një raporti teknik dhe profesional për cilësinë e ujërave sipërfaqësore të përdorura për ujitje dhe ndikimin e tij në mjedis, cilësinë e tokës dhe rendimentin bujqësor.
  • Ndërgjegjësimi i institucioneve kombëtare dhe vendore, si dhe i studentëve të agronomisë dhe mjedisit.
  • Ndërgjegjësimi dhe përfshirja e grupeve të interesit në diskursin e cilësisë së ujërave sipërfaqësore në mjedis, bujqësi dhe shëndet individual.

Përshkrimi i projektit: Gjithnjë e më shumë me rritjen e numrit të popullsisë po rritet edhe presioni për përdorimin e ujit dhe ndikimet në ciklin e ujit. Cilësia e ujit ndikon në përshtatshmërinë e tij për një përdorim të caktuar, d.m.th se sa mirë cilësia përmbush kërkesat e përdoruesit. Cilësia e ujit lidhet me karakteristikat fizike, kimike dhe biologjike të ujit me të gjitha vetitë e tjera hidrologjike. Për shembull, uji i lumit me cilësi të mirë me ngarkesë sedimenti mund të aplikohet për ujitje me sukses, por mund të jetë i kundërshtueshëm për përdorim komunal pa trajtim. Karakteristikat e cilësisë së ujit janë bërë të rëndësishme në planifikimin dhe zhvillimin e burimeve ujore për ujin e pijshëm, përdorimin industrial dhe për ujitje (Shakoor, 2015). Cilësia e ujit është baza për të gjykuar përshtatshmërinë e ujit për aplikimin e tij të propozuar për kushtet ekzistuese.

Shqipëria është shumë e pasur me burime ujore, duke përfshirë ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore, me sasinë më të lartë të ujit të disponueshëm për frymë me 8700 m3/vit. Megjithatë, vetëm rreth 13% e të gjitha ujërave të ndotura urbane në Shqipëri trajtohen në impiante të trajtimi, pjesa tjetër derdhet e patrajtuar në lumenj, liqene dhe dete.

Uji për qëllim ujitje, qoftë i devijuar nga përrenj, lumenj apo i pompuar nga puset e napës freatike, përmban sasi të konsiderueshme substancash të dëmshme në tretësirë, të cilat mund të ulin rendimentin e të korrave dhe të përkeqësojnë pjellorinë e tokës. Karakteristikat kryesore për të vlerësuar cilësinë e ujit të ujitjes sipas FAO dhe Direktivës Kuadër të Ujit DKU (75/440/EEC) të BE-së janë: Temperatura, pH, Përçueshmëria Elektrike (EC), Lëndët Totale të Tretura (TDS), Lënda Totale Pezull (TSS), Turbullira, Ngjyra, Nevoja Biokimike për Oksigjen (NBO5/BOD5), Kalcium, Magnez, Kalium, Natrium, Fortësia Totale, Kloruret, Azoti Total si jone Nitrate (N/NO3-), Azot Total si jone Amonjiakale (N/NH4+), Fosfori total si Ortofosfate (P/PO43-), Koliforme Totale, Enterokoke intestinale, Escherichia coli, Kadmium, Kobalt, Plumb, Bor. 

Përdorimi i ujit me cilësi të dobët për ujitje mund të shkaktojë probleme të tokës si kripësia, soliditeti, alkaliniteti, toksiciteti dhe shkalla e infiltrimit të ujit. Duhet të jepet synimi i duhur për të menaxhuar ujin me cilësi të dobët dhe për të rikuperuar tokën e prekur nga kripa. Ky projekt synon të kryeje një program monitorimi të ujit për ujitje nga vepra e marrjes në urën e Bërzhitës në lumin Erzen, duke vijuar gjatë rrugëtimit të tij në kanalin e rrjetit ujitës të Arbanës në Petrelë, deri në zonën pranë Përroi i Zhullimës në Vaqar, si dhe krahasimin e vlerave me udhëzimet e FAO-s dhe Direktivës Kuadër të Ujit (75/440/EEC) për këtë qëllim.