











Në kuadër të projektit SuS_AGRI, në datat 24-27 Shkurt të vitit 2025, në mjediset e Bashkisë Roskovec, H2H Foundation organizoi trajnimin 4 ditor mbi metodat inovative për të krahasuar ndikimet e ndryshimeve klimatike në sektorin e bujqësisë.
Në këtë trajnim morrën pjesë 4 fermerë nga Italia, 3 fermerë nga Mali i Zi dhe 10 fermerë nga Shqipëria, të cilët morrën njohuri dhe informacione në lidhje me ndikimet që sjellin ndryshimet klimatike në sektorin e bujqësisë dhe kush janë disa nga masat që duhet të marrin fermërët për zbutjen e tyre.
Në ditën e parë të trajnimit, Eksperti Erjon Kalaja shpjegoi konceptet kryesore në lidhje me praktikat e ujitjes dhe planifikimit, marrëdheniet ndërmjet tokës, ujit dhe bimës dhe metodat kryesore për ujitjen e tokave bujqësore. Ekspertja Erdona Demiraj theksoi rëndësinë e monitorimit të praktikave të qëndrueshme të ujitjes. Palët e interesuara duhet të trajtojnë ndër-kontaminimin dhe menaxhimin e lëndëve ushqyese dhe te adoptojne praktikat e fertigimit në përputhje me standartet e FAO për rezultatet më të mira. Pjesa e dytë e trajnimit u zhvillua në terren ku pjesemarrësit u njohën në mënyrë praktike mbi metodat e ujitjes me pika në një nga serrat në Bashkinë Roskovec.
Në ditën e dytë të trajnimit, fermerët e ardhur nga Italia prezantuan punën dhe praktikat bujqësore që përdorin në fermat e tyre. Eksperti Kujtim Mersini në leksionin e parë shpjegoi për kapitullin 12 i lidhur me sigurinë ushqimore dhe theksoi nevojën për sigurimin e standardeve të larta të sigurisë ushqimore, masave veterinare dhe fitosanitare në përputhje me rregulloret e BE-së. Në leksionin e dytë ai shpjegoi ndikimet e ndryshimeve klimatike në prodhimin bujqësor dhe blegtoral dhe praktikat që ndiqen për zbutjen e tyre në bujqësi. Pas leksioneve shpjeguese trajnimi vazhdoi në terren ku pjesëmarrësit vizituan një fermë bujqësore ku përdoreshin bletë për pjalmimin natyror të rrënjëve të domateve dhe përdornin sistemin e ujitjes me pika dhe një fermë blegtorale.
Në ditën e tretë të trajnimit, kryetarja e Bashkisë Roskovec, znj. Majlinda Bufi, iu bashkua aktivitetit, e cila shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, prezantimet dhe ndarjen e ideve gjatë gjithë trajnimit. Ajo theksoi se shkëmbimi i ideve luan një rol vendimtar në nxitjen e përmirësimeve të nevojshme në sektorin e bujqësisë, duke mundësuar inovacionin dhe nxitjen e praktikave të qëndrueshme. Fermerët e ardhur nga Mali i Zi prezantuan punën dhe praktikat bujqësore që përdorin në fermat e tyre. Më tej, Eksperti Erjon Kalaja shpjegoi rëndësinë e planifikimit për përshtatjen e sektorit të bujqësisë me ndryshimet klimatike. Eksperti Gentian Gace shpjegoi për sistemet inteligjente të ujitjes dhe monitorimit në kohë reale të serrave duke përdorur pajise inteligjente. Përfaqësuesja e H2H Foundation, Alisja Herri solli një rast studimor mbi efektet e ndryshimeve klimatike në prodhimin bujqësor në Spanjë. Pjesa e dytë e trajnimit u zhvillua në terren ku vizituam rezervuarin e Kurjanit i cili përdoret për ujitjen e tokave bujqësore dhe një serrë për rritjen e domateve bujqësore ku përdoreshin bletë për pjalmimin natyror të rrënjëve.
Dita e katërt e trajnimit u realizua në një tavoline e rrumbullakët me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), Agjencia e Zhvillimit Bujqesor Rural (AZHBR), Bashkia Roskovec, fermerët nga Italia, Mali i Zi dhe nga Shqipëria për diskutimin e sfidave dhe hapat e nevojshme për një bujqësi të qendrueshme. Në panelin e diskutimit, drejtoresha e sektorit të projekteve në MBZHR prezantoi rolin e ministrisë dhe programet e ardhshme për mbështetjen e fermerëve për një bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri.
Gjatë diskutimit fermerët vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve qendrore dhe lokale.
Trajnimi përfundoi me shpërndarjen e çertifikatave për fermerët që ishin pjesë e këtij trajnimi.