Më 5 nëntor 2026, H2H Foundation organizoi një takim konsultues pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, në kuadër të projektit “Hands to Habitat – Veprim i Shoqërisë Civile për Lumenj të Pastër”, i zbatuar në kuadër të iniciativës RIVERCLEAN.
Takimi kishte për qëllim prezantimin e objektivave të projektit, aktiviteteve në zhvillim dhe gjetjeve kryesore të arritura deri më tani, duke krijuar një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi me institucionet publike për sfidat kryesore që lidhen me menaxhimin e mbetjeve në nivel vendor dhe rajonal.
Diskutimet u përqendruan në disa çështje kryesore, ndër të cilat:
- Problematikat dhe sfidat kryesore në menaxhimin e mbetjeve në nivel vendor dhe rajonal;
- Ndarja e përgjegjësive dhe kompetencave ndërmjet institucioneve publike përkatëse;
- Kuadri ligjor dhe institucional në fuqi për menaxhimin e mbetjeve;
- Disponueshmëria, grumbullimi, aksesi dhe administrimi i të dhënave që lidhen me menaxhimin e mbetjeve.
Diskutimet evidentuan nevojën për forcimin e koordinimit institucional, përcaktimin më të qartë të përgjegjësive dhe përmirësimin e aksesit në të dhëna të besueshme dhe të përditësuara. Këta elementë janë thelbësorë për përmirësimin e praktikave të menaxhimit të mbetjeve, forcimin e qeverisjes mjedisore dhe mbrojtjen më efektive të burimeve natyrore.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës, Prefektura e Qarkut Durrës dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale e Bashkisë Durrës. Pjesëmarrja e tyre krijoi mundësinë për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e problematikave të përbashkëta dhe shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim në të ardhmen.
Forcimi i partneriteteve ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile është thelbësor për adresimin e ndotjes së lumenjve që në burim, përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve dhe promovimin e komuniteteve më të pastra dhe më të shëndetshme.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të iniciativës RIVERCLEAN, nga ETMI dhe Milieukontakt Albania, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

