Blog Details

ACTIVE WATER II – KONFERENCA PËRFUNDIMTARE E PROJEKTIT, PREZANTOHEN REZULTATET E MONITORIMIT TË TRUPAVE UJORË NË SHQIPËRI

Posted by
Category: ,

Më 30 shtator 2026, u zhvillua konferenca përfundimtare e projektit “Active Water II”, e organizuar nga H2H Foundation në bashkëpunim me partnerët e projektit, me fokus prezantimin e rezultateve të monitorimit të trupave ujorë dhe diskutimin mbi sfidat e menaxhimit të burimeve ujore në Shqipëri.

Konferenca bëri bashkë 32 përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, organizatat e shoqërisë civile, institucionet akademike dhe ekspertë të fushës, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, diskutimin e problematikave dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete.

Gjatë aktivitetit u prezantuan rezultatet e monitorimit të realizuar në tri fushata, në qershor 2025, tetor 2025 dhe prill 2026, në të njëjtat pika monitorimi dhe përmes analizimit të parametrave fiziko-kimikë dhe mikrobiologjikë.

Diskutimet u zhvilluan në tre panele tematike:

  • Situata e trupave ujorë në Shqipëri: U evidentuan presionet kryesore mbi burimet ujore, përfshirë shkarkimet urbane të patrajtuara, aktivitetet bujqësore dhe blegtorale, mbetjet organike, sedimentimin dhe ndotjen industriale në zona të caktuara. Ndër pikat prioritare të identifikuara ishin Liqeni i Tafanëve, Vija e Ngjalës, Liqeni Artificial i Tiranës dhe sistemi Hidrovori i Hamallajt–Deti Adriatik.
  • Ndikimi i ndotjes në turizëm, bujqësi dhe shëndetin publik: U diskutuan rreziqet që lidhen me përdorimin e ujit të ndotur për ujitje, kontaminimin e tokës dhe produkteve bujqësore, ekspozimin e fermerëve dhe konsumatorëve, si dhe ndikimin në zonat rekreative dhe turistike.
  • Monitorimi afatgjatë dhe vetëmonitorimi: U trajtuan përgjegjësitë institucionale, sfidat e koordinimit, mungesa e standardeve të unifikuara dhe nevoja për një mekanizëm më efektiv vetëmonitorimi, të mbështetur në protokolle të përbashkëta, laboratorë të akredituar, raportim elektronik dhe kontrolle të pavarura.

Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të koordinimit ndërinstitucional, harmonizimit të metodave të monitorimit, krijimit të një platforme të përbashkët dhe transparente për të dhënat, si dhe hartimit të planeve konkrete të ndërhyrjes për zonat më problematike.

Një nga mesazhet kryesore të konferencës ishte se monitorimi i ujërave duhet të shkojë përtej identifikimit të ndotjes, duke u shndërruar në veprime konkrete, të matshme dhe të verifikueshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e burimeve ujore.

H2H Foundation falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe institucionet e përfshira për kontributin dhe angazhimin e tyre. Bashkëpunimi, transparenca dhe përgjegjësia e përbashkët mbeten thelbësore për një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve ujore në Shqipëri.

Së bashku për ujëra më të pastra dhe një mjedis më të shëndetshëm!

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit #GreenAL “Mbështetja e Organizatave të Shoqërisë Civile 2024 -2027”, financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.

Be the first to comment