Blog Details

RIVERCLEAN: Monitorimi i Tretë i Mbetjeve në Plazhin Publik të Lalëzit prane Perroit Tarin Evidenton një Rritje të Konsiderueshme të Ndotjes Bregdetare

Posted by
Category: 

Më 12 nëntor 2026, në kuadër të projektit RIVERCLEAN u zhvillua aktiviteti i tretë i monitorimit të mbetjeve bregdetare në Plazhin Publik të Lalëzit, pranë Përroit të Tarinit, me qëllim vlerësimin e pranisë dhe grumbullimit të mbetjeve përgjatë vijës bregdetare gjatë sezonit të vjeshtës.

Aktiviteti i monitorimit u realizua në përputhje me protokollin e standardizuar për monitorimin e mbetjeve në plazhe dhe përfshiu vëzhgimin sistematik, identifikimin, grumbullimin dhe regjistrimin e llojeve dhe sasive të mbetjeve në një segment të përzgjedhur prej 100 metrash.

Gjetjet Kryesore nga Monitorimi i Vjeshtës

Gjatë fushatës së monitorimit në nëntor u regjistruan rezultatet e mëposhtme:

  • 713 mbetje përgjatë 100 metrave vijë bregdetare;
  • 41 kg mbetje të grumbulluara në total;
  • 22 kg mbetje plastike;
  • 19 kg mbetje të tjera.

Krahasimi me Monitorimin e Mëparshëm – 21 Korrik 2026

Krahasimi i rezultateve të nëntorit me ato të monitorimit të dytë, të zhvilluar në të njëjtin vendndodhje më 21 korrik 2026, evidenton një rritje si të numrit të mbetjeve, ashtu edhe të sasisë totale të tyre.

Rezultatet tregojnë:

  • Numri i mbetjeve: Nga 690 në korrik në 713 në nëntor, me një rritje prej 3.3%.
  • Sasia totale e mbetjeve: Nga 23.495 kg në 41 kg, me një rritje prej 74.5%.
  • Mbetjet plastike: Nga 17.595 kg në 22 kg.
  • Mbetjet e tjera: Nga 5.9 kg në 19 kg.

Gjetjet tregojnë se, ndonëse numri i mbetjeve të evidentuara është rritur në mënyrë të moderuar, pesha totale e mbetjeve të grumbulluara është rritur ndjeshëm. Kjo sugjeron një prani më të madhe të mbetjeve me peshë më të lartë përgjatë vijës bregdetare.

Pse Kjo Zonë Vijon të Grumbullojë Sasi të Konsiderueshme Mbetjesh?

Pavarësisht se është monitoruar për të tretën herë, Plazhi Publik i Lalëzit, pranë Përroit të Tarinit, vijon të paraqesë nivele të konsiderueshme të ndotjes nga mbetjet. Afërsia e zonës së monitorimit me përroin përbën një faktor të rëndësishëm ndikues, pasi rrjedhat ujore mund të transportojnë mbetje nga zonat e sipërme të pellgut ujëmbledhës dhe t’i depozitojnë ato drejtpërdrejt drejt vijës bregdetare, veçanërisht gjatë periudhave me prurje të larta ujore.

Këto gjetje tregojnë se ndotja bregdetare nuk mund të adresohet vetëm përmes aktiviteteve të pastrimit të plazheve. Zgjidhjet efektive dhe të qëndrueshme duhet të marrin në konsideratë edhe burimet e ndotjes dhe rrugët përmes të cilave mbetjet transportohen drejt zonave bregdetare.

Forcimi i praktikave të menaxhimit të mbetjeve, parandalimi i hedhjes së tyre në mënyrë të papërshtatshme dhe zbatimi i masave parandaluese përgjatë lumenjve dhe përrenjve janë thelbësore për reduktimin e sasisë së mbetjeve që përfundojnë në det.

Nga Lumenj më të Pastër drejt Plazheve më të Pastra dhe Deteve më të Shëndetshme

Nëpërmjet projektit RIVERCLEAN, H2H Foundation dhe partnerët e saj vijojnë të monitorojnë modelet e ndotjes, të gjenerojnë të dhëna mjedisore të krahasueshme dhe të identifikojnë tendencat e përsëritura të grumbullimit të mbetjeve. Këto aktivitete monitorimi ofrojnë informacion të vlefshëm për të kuptuar lidhjen ndërmjet ndotjes së lumenjve dhe grumbullimit të mbetjeve në zonat bregdetare, duke mbështetur njëkohësisht hartimin e masave më të orientuara për mbrojtjen e mjedisit.

Rezultatet përforcojnë rëndësinë e një qasjeje të integruar për menaxhimin e mbetjeve, e cila lidh parandalimin e ndotjes në zonat e sipërme të pellgjeve ujëmbledhëse me mbrojtjen e ekosistemeve bregdetare dhe detare.

Lumenj më të pastër do të thotë plazhe më të pastra dhe dete më të shëndetshme.

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të iniciativës RIVERCLEAN, nga ETMI dhe Milieukontakt Albania, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Be the first to comment