Më 21 korrik 2026, në kuadër të projektit RIVERCLEAN, u zhvillua aktiviteti i dytë i monitorimit të mbetjeve bregdetare në Plazhin Publik pranë Përroit të Tarinit, me mbështetjen e vullnetarëve nga Rotary Club Tirana International dhe Horizons to Sustainability.
Vendii përzgjedhur ndodhej përgjatë vijës bregdetare të Lalëzit, një zonë me vlera të rëndësishme natyrore dhe rekreative. Gjatë aktivitetit u vëzhguan, identifikuan dhe regjistruan llojet dhe sasitë e mbetjeve sipas metodologjisë së standardizuar për monitorimin e mbetjeve në plazhe.
Qëllimi i aktivitetit ishte të sigurojë një pasqyrë më të qartë të nivelit të ndotjes në zonë, duke identifikuar llojet kryesore të mbetjeve, burimet e mundshme të tyre dhe ndikimin që ato kanë në ekosistemet bregdetare dhe detare. Njëkohësisht, aktiviteti kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e reduktimit të mbetjeve plastike dhe mbrojtjes së mjedisit natyror.
Gjetjet kryesore të monitorimit
- 690 artikuj mbetjesh të regjistruar në 100 metra vijë bregdetare;
- 23.495 kg mbetje të mbledhura në total;
- 17.595 kg mbetje plastike;
- 5.9 kg mbetje të tjera.
Rezultatet tregojnë një nivel të konsiderueshëm të ndotjes nga mbetjet, ku plastika përbën pjesën më të madhe të materialeve të gjetura. Të dhënat e mbledhura do të shërbejnë për të mbështetur veprimet e ardhshme për mbrojtjen e bregdetit, reduktimin e ndotjes dhe promovimin e praktikave më të qëndrueshme për menaxhimin e mbetjeve.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të iniciativës RIVERCLEAN, nga ETMI dhe Milieukontakt Albania, me mbështetjen e Bashkimit Europian.

